Zbulimi i njohurive përmes të Dhënave të Hapura

gus 17, 2023

Urtina Zeka, Ekonomiste, Ekipi i Zhvillimit të Kompaktit

Të dhënat e hapura kontribojnë në rritjen e cilësisë, efikasitetit, transparencës dhe përgjegjësisë së shërbimeve publike. Ata nxisin rritjen ekonomike duke mbështetur inovacionin dhe duke informuar në procesin e marrëveshjeve.

Sipas Robert Merton, i njohur gjerësisht si themeluesi i shkencës së sociologjisë, hulumtimi duhet të jetë i qasëshëm për të gjithë. Një nga normat Mertoniane të një hulumtimi shkencor të mirë është që çdo hulumtues duhet të lejojë që dija të ecë përpara. Në këtë perspektivë, laureatja e Çmimit Nobel, Elinor Ostrom, identifikoi të dhënat e hapura si një lloj i ri i "të mirës publike ". Sipas saj, të dhënat e hapura pasurojnë fondin e përgjithshëm më shumë sesa që e zvogëlojnë.

Qeveritë në të gjithë botën po fillojnë të pranojnë këtë pikëpamje duke trajtuar të dhënat si një të mirë publike. Megjithatë, përvoja ime me qasjen në të dhënat e Kosovës ishte sfiduese, derisa zbulova bazën e të dhënave të hapura të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit.

Në mars të vitit 2020, ndërsa bota po hynte në një izolim pandemik, po kërkoja për një temë për disertacionin tim të masterit që ishte relevant për një vend në zhvillim, ishte relativisht i paexploruar, dhe kishte të dhëna në dispozicion për ta mbështetur atë. Po kryeja studimet e Master të Ekonomisë në Zhvillim në Univerzitetin e Sussex, Brighton, Mbretëria e Bashkuar, dhe vendosa të studioja kohëzgjatjen e papunësisë në Kosovë, vendlindjen time. Shkalla e lartë e papunësisë si dhe papunësia e vazhdueshme janë fenomene të përhapura në Kosovë, mirëpo e dyta në shumicën e rasteve mbetet e studiuar pak.

Marrja e të dhënave, sado e vjetër, për këtë hulumtim ishte e vështirë për shkak të politikave të Agjencisë së Statistikave në Kosovë (ASK), e cila nuk lejon përdorimin e seteve të të dhënave jashtë zyrave të saj në kryeqytet. Nuk mund të kthehesha në Kosovë për shkak të situatës së pandemisë dhe për këtë arsye mendova të ndryshoja temën e disertacionit në një temë me të dhëna në dispozicion për ta mbështetur atë.

Në atë moment, teksa kisha filluar të mendoja për të përdorur të dhëna makroekonomike ose të eksploroja tema nga vende të tjera, gjeta Anketën e Fuqisë Punëtore dhe të Përdorimit të Kohës 2017 në Kosovë nga Programi Threshold I MCC-së për Kosovën. Seti i të dhënave ishte i disponueshëm në mënyrë publike në internet, i lehtë për përdorim, dhe kishte 32,000 vëzhgime me shumë variabla që do të përdoreshin për të eksploruar arsyet e kohëzgjatjes së papunësisë në vendin tim.. Pakoja e të dhënave erdhi me një raport që përmbledhte gjetjet kryesore, një udhëzues për përdoruesin, dhe anketën e plotë në shqip, anglisht dhe serbisht. Të gjitha manipulimet e variablave shpjegoheshin në detaje, si dhe metodat e përdorura për të mbrojtur privatësinë e të anketuarve. Përveç kësaj, u shpjeguan masat e sigurimit të cilësisë, si trajnimi dhe mbikëqyrja e marrë nga anketuesit.

Mospërputhjet midis statistikave të ASK-së dhe MCC-së për variabla të rëndësishëme, si norma e papunësisë, gjithashtu u marrën në konsideratë. Për shumicën e kolegëve të mi, kalimi i një seti të të dhënave nga forma e tyre e papërpunuar në një strukturë të përdorshme i mori kohë disa muaj, rreth dy të tretat e kohës së disponueshme për të përfunduar tërë disertacionin. Në rastin tim, pasi që seti i të dhënave ishte pastruar tashmë, kjo procedurë zgjati disa javë. Kështu, pata mundësi të përqendrohesha kryesisht në analizë, në vend që të kaloja kohë për të bërë të dhënat të përdorshme.

Hipoteza ime fillestare ishte se me një hyrje të lartë të remitancave dhe një normë të lartë të fuqisë punëtore të arsimuar, njerëzit ishin vullnetarisht të papunë, duke pritur punë më të paguara ose më të kualifikuara. Analiza ime tregoi se nuk kishte mjaft vende të lira pune në treg, në përputhje me përvojën e vendeve të tjera në zhvillim. Modeli që përdora ishte i qëndrueshëm dhe numri i madh i vëzhgimeve bëri rezultatet më të besueshme. Përfundova me diplomë të dalluar dhe një mundësi të ardhshme për të publikuar tezën time.

Për hulumtuesit, si dhe për sektorin privat, të dhënat e larta cilësore janë të rëndësishme, pasi hulumtimi i besueshëm sjell vendime të besueshme. Megjithatë, seti i të dhënave nuk ishte i lehtë për tu gjetur. Shumica e kolegëve të mi e zbuluan atë përmes disertacionit tim dhe u çuditën që nuk kishin hasur në këtë set të dhënash më parë. Unë besoj se setet e të dhënave të tilla cilësore duhet të ishin reklamuar më shumë. Prandaj, isha e kënaqur të mësoja se MCC ka nisur së fundi një Platformë të Re të Dëshmive të MCC për të publikuar dhe ndarë më mirë produktet e shumta të njohurive të saj. Kjo platformë duhet të mbështesë hulumtuesit si unë në qasjen dhe përdorimin e raporteve të vlerësimit dhe seteve të të dhënave nga mbi 35 vende.

Tani punoj me të dhëna si pjesë e detyrës sime të re si ekonomiste e Ekipit të Zhvillimit të Kompaktit (entiteti i përkohshëm zbatues) në Kosovë. Përderisa Kosova po finalizon programin threshold, ajo po zhvillon edhe kompaktin e saj të parë. Kompakti i Kosovës është projektuar për tu përgjigjur ndaj kufizimit të furnizimit të pabesueshëm të energjisë në Kosovë, në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit dhe energjisë të Qeverisë së Kosovës dhe për të çuar në uljen e varfërisë dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës. Kompakti përbëhet nga tre projekte: 1) Projekti i Ruajtjes së Energjisë, 2) Projekti i Përshpejtimit të Tranzicionit të Drejtë dhe të Barabartë dhe 3) Projekti Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim. Si ekonomiste e ekipit, tani jam përgjegjëse që të dhënat e gjeneruara të jenë të besueshme jo vetëm për hartimin e kompaktit, por edhe për përdorim nga hulumtues të tjerë, në frymën e normave Mertoniane të një hulumtimi të mirë shkencor.

Të ngjajshme

Ngarkimi i postimeve...

This website was made possible through a partnership between the American people and Republic of Kosovo through the Millennium Challenge Corporation (https://www.mcc.gov) under the terms of a compact Kosovo Compact (mcc.gov) signed between the two countries. The information provided on this website is not official U.S. Government information and does not represent the views or positions of the U.S. Government or the Millennium Challenge Corporation.